Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përmes një videoadresimi ka prezantuar Kabinetin e qeverisjes së mirë, i cili do t’i ketë 15 departamente, raporton InLajmi.
Krasniqi ka thënë se PDK-ja nga sot do të vazhdojë me një rrugëtim të ri, që është tejet i rëndësishëm për vendin dhe qytetarët .
“Partia Demokratike e Kosovës ka një trashëgimi të madhe e domethënëse në projektet kombëtare të lirisë, pavarësisë dhe shtet-ndërtimit, ndërsa nga sot, me një frymë të re dhe me shikim kah e ardhmja, ne po vazhdojmë në një rrugëtim të ri dhe tejet të rëndësishëm për vendin dhe qytetarët, atë të shpresës dhe perspektivës”, tha Krasniqi.
Gjithashtu, kryetari i PDK-së, tha se ditët e qeverisjes depresive duhe të marrin fund, duke theksuar domosdoshmërinë qe një prespektivë e re t’u ofrohet qytetarëve për të ardhmen.
“Ditët e qeverisjes depresive duhet të marrin fund, prandaj e shohim të domosdoshme që qytetarëve t’u ofrojmë një perspektivë të re dhe një zotim të palëkundur për të ardhmen që duhet ta ndërtojmë së bashku. Për këtë vizion kaq të nevojshëm dhe kaq domethënës, Partia Demokratike po themelon Kabinetin e Qeverisjes së Mirë – me të cilin do të shpalosë politikat alternative të qeverisjes që sot i mungojnë Kosovës, e që i duhen asaj më shumë se kurrë. Përmes këtij Kabineti, ne do të shpalosim para qytetarëve vizionin dhe modelin e qeverisjes së ardhshme që do të udhëhiqet nga PDK.”, ka thënë kreu I PDK-së.
Krasniqi theksoi se qeveria në pushtet e ka humbur çdo momentun për të bërë diçka të mirë e domëthënëse për Kosovën.
“Kjo Qeveri e ka humbur çdo momentum të mundshëm për të bërë diçka të mirë e domethënëse për Kosovën. Por, Kosova është atdheu ynë i përbashkët dhe e ardhmja e saj – ashtu siç e ëndërrojmë dhe e meritojmë si qytetarë – është mision që na obligon të gjithëve, pavarësisht përgjegjësive që kemi sot e që do t’i kemi nesër. Prandaj, nga sot, përpjekjeve tona i shtohet edhe Kabineti per Qeverisje të Mirë, i cili vjen si platformë politike që i del përballë keqqeverisjes dhe u del në krah qytetarëve. Si alternativë që do të korrektojë qeverisjen aktuale e do të ofrojë vizionin e qeverisjes së ardhshme. Si pasqyrë konkrete e vizionit tonë politik se si e mendojmë qeverinë dhe qeverisjen që i duhet Kosovës dhe qytetarëve të saj.” tha ai. /InLajmi/