Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kritikuar Presidencën dhe Qeverinë e Kosovës, që sipas tij ata nuk kanë reaguar ndaj mbështetjes që G7 ia dha vendit tonë, përcjell InLajmi.
Hoxhaj ka thënë se as shkatrrimi i Jugosllavisë, e as pavarësia e gjithë shteteve që dolën nga ajo dhe anëtarësimet në BE dhe NATO, nuk kanë ndodhur pa koordinim me G7.
Gjithashtu, ai ka thënë se heshtja e Presidencës dhe e qeverisë tregon se kanë problem me politikat e tyre të jashtme që sipas tij kjo është politikë e rënies së lirë.
Postimi i plotë i tij:
G7, të shtunën, mbështetën Kosovën dhe shtetet properëndimore në rajon e goditën Serbinë dhe serbët në Bosnje! As Presidenca dhe as Qeveria e Kosovës nuk thanë asnjë fjalë. Nuk ka asnjë institucion global që e ka mbështetur lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si G7, grupi i 7-të ekonomive të botës (ShBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia, Kanadaja dhe Japonia)! As shkatërrimi i Jugosllavisë, e as pavarësia e gjithë shteteve që dolën nga ajo dhe anëtarësimet në BE dhe NATO, nuk kanë ndodhur pa koordinim me G7! Për Kosovën, qëndrimet e tyre të vitit 1999 dhe 2007, ishin vendimtare për lirinë dhe pavarësinë, duke i dhënë legjitimitet ndërkombëtar dhe fuqizuar Kosovën! Deklarata e tyre e së shtunës tregon se është shansë për të arritur marrëveshjen e njohjes së ndërsjellë dhe anëtarësimin në OKB! Heshtja e Presidencës dhe Qeverisë tregon se kanë problem me orientimin në kohë dhe hapësirë dhe politika e tyre e jashtme është politikë e rënies së lirë!/InLajmi/