Kosova javën e kaluar ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Madje për shkak të numrit të madh të vendeve anëtare në këtë organizatë që e kanë njohur edhe pavarësinë e Kosovës, po thuhet që gjasat janë të mëdha për anëtarësim.
Por, diplomati, Islam Lauka thotë se nuk është e garantuar vota pro Kosovës nga të gjitha vendeve njohëse.
“Po t’i marrësh me numra, shumica e vendeve anëtare në Këshillin e Evropës e njohin Kosovën, ato që se njohin janë pakicë dhe meqenëse aty është parimi i shumicës po të gjykosh nga kjo logjikë jemi të pranuar por nuk ka asnjë garanci që ato që të njohin të votojnë pro”, tha Lauka.
Ai për këtë çështje në emisionin ResPublika në Tëvë1 tha se Kosova duhet të lobojë paraprakisht për anëtarësimin në këtë organizatë.
“Kemi përvoja të hidhura me INTERPOL-in, UNESCON , a e dini që në UNESCO kanë votuar kundër edhe vende të BE-së dhe mendimi im ky që që para se të aplikojmë për anëtarësim ne duhet ta bëjmë punën paraprake lobuese në atë mënyrë që të bindemi që do të kemi sukses”, shtoi ai.