Partia Social-Demokrate, subjekti politik në pushtet në Suedi, deklaroi ditën e sotme se mbështet anëtarësimin e vendit në NATO, duke hequr dorë kështu nga një politikë kundër bashkimit në aleanca ushtarake, dhe duke i hapur rrugën vendit që të aplikojë për anëtarësim në aleancën perëndimore.
Ne socialdemokratët konsiderojmë se më e mira për Suedinë dhe sigurinë e popullit suedez është që ne të bashkohemi me NATO-n. Ky është një vendim që ne e kemi marrë pas shqyrtimit shumë të kujdesshëm,” tha Kryeministrja suedeze Magdalena Andersson gjatë një konference për shtyp të dielën.
Gjatë një mbledhjeje të partive parlamentare që diskutuan për politikën e sigurisë të premten, u arrit në përfundim se anëtarësimi i këtij shteti në NATO do të zvogëlonte rrezikun e konfliktit në Evropën Veriore.
Suedia ka qëndruar jashtë aleancave ushtarake për më shumë se 200 vjet, edhe pse ka krijuar raporte të afërta me NATO-n që prej viteve ’90, transmeton Gazeta Metro.
Nga ana tjetër Rusia ka paralajmëruar se anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë do të pasohet me përgjigje të Moskës.