Zvicra do t’i ofrojë Shqipërisë 105 milionë franga për përmirësimin e klimës së biznesit dhe reformat për shtetin ligjor.
Fondacioni mundësohet përmes Programit të Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri për periudhën 2022-2025.
Programi u bë publik në një aktivitet, ku merrnin pjesë Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj; Ambasadori i Zvicrës në Tiranë, Adrian Maitre; Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Zvicerane, Patricia Danzi; Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ministra të qeverisë dhe përfaqësues të institucioneve të tjera shtetërore.
Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj vlerësoi marrëdhëniet mes 2 vendeve dhe falënderoi qeverinë zvicerane për mbështetjen që ka dhënë në vite dhe vazhdon të japë për Shqipërinë.
“Mbështetja e partnerëve ndërkombëtare është e rëndësishme për të konsoliduar një kuadër të besueshëm makroekonomik, një mjedis të përmirësuar biznesi, miqësor me inovacionin, konkurrues e produktiv, si dhe që inkurajon punësimin e të rinjve. Të gjithë këto elementë do të shërbejnë që ekonomia në vijim të rritet në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, falë edhe bashkëpunimit publik privat”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja theksoi se Programi i Bashkëpunimit 2022-2025 nuk është vetëm një Strategji, por një dokument për të 2 palët, për të çuar përpara projekte konkrete të cilat mbështesin reformat kryesore të qeverisë.
Ministrja shprehu besimin se prioritetet e këtij Programi kanë rëndësi të veçantë për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë, zbatimin e reformave në të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe sektorit privat, si dhe për progresin e Shqipërisë në arritjen dhe përmbushjen e standardeve dhe vlerave evropiane.
“Angazhimi financiar i parashikuar për periudhën 2022-2025 është 105 milionë franga zvicerane në formë grantesh. Kjo është një shifër jashtëzakonisht kuptimplotë e cila do të na shtyjë për të bashkëpunuar më mirë, për të bashkërenduar dhe koordinuar punën më mirë, ndërmjet qeverisë dhe të gjithë partnerëve tanë të zhvillimit, në mënyrë që burimet njerëzore dhe financiare të shkojnë aty ku duhet dhe të mos shpenzohen kot”, tha Ibrahimaj, shkruan Abc.News.al.
Gjatë periudhës 2022-2025, Shqipëria dhe Zvicra do të punojnë për orientimin e reformave dhe arritjen e rezultateve në katër fusha: qeverisje demokratike; zhvillim ekonomik i qëndrueshëm dhe punësim; shërbime infrastrukturore dhe ndryshimet klimaterike; dhe shëndetësi.