Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha ka thënë se ligji për pagën minimale është diskriminues për veteranët e luftës së UÇK-së, pasi ata nuk do të përfshihen në këtë rritje të pagës minimale, raporton InLajmi.
Sipas tij, ky projektligj parasheh që të largojë veteranët nga rritja e pensionit të tyre. Ai thotë që ky pension për veteranët është burimi i ekzistencës dhe jo burim shpërblimi.
“Ligji aktual për trajtimin e temës së pagës minimale e ka specifikuar që pensioni i veteranëve të luftës se UÇK-së duhet të jetë i barazvlefshëm me pagën minimale. Projektligjin që e keni sjell ju, parasheh që të largojë veteranët nga rritja e pensionit të tyre”, u shpreh Berisha.
“Veteranët pensionin nuk e kanë si shpërblim, ashtu siç e kanë vendet e tjera por e kanë burim të ekzistencës, dhe në qoftë se e marrin këtë pension nuk mund të punojnë diku tjetër”.
Deputeti i AAK-së tha se ky nen diskriminues duhet të largohet.
“Ne e shohim këtë qasje si diskriminuese ndaj kësaj kategorie të nderuar të vendit, që i dhanë edhe gjymtyrët për lirinë e vendit, andaj kërkojmë që ky nen diskriminues i propozuar nga ju të largohet në mënyrë që pensionet e tyre te jenë ne vije me pagën minimale”, përfundoi Berisha. /InLajmi/