Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se aplikim i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është vlerë e shtuar për Këshillin dhe mundësi e Kosovës që të përparojë në fushën e të drejtave të njeriut, përcjell InLajmi.
Kurti ka thënë se Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor ku të drejtat dhe liritë e njeriut janë të garantuara me Kushtetutë dhe me ligj.
I pari i qeverisë ka theksuar se liria e shprehjes në dhe e medias në Kosovë, çdo herë e më shumë po shënon përmirësim.
Postimi i plotë, i tij:
KOSOVA APLIKON PËR ANËTARËSIM NË KËSHILLIN E EVROPËS
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam nismën për anëtarësimin e Republikës sonë në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, ndërkaq pak kohë më pas dorëzuam edhe aplikimin për anëtarësim.
Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, ku të drejtat dhe liritë e njeriut janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligj. Liria e shprehjes dhe medies çdo herë e më shumë po shënon përmirësim. Luftimi i korrupsionit është i pa kompromis. Reforma në sundimin e ligjit prioritet.
Anëtarësimi në Këshillin e Evropës është vlerë e shtuar për Këshillin dhe mundësi për Kosovën që të përparojë edhe më shumë në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit./InLajmi/




















