Fshatrat Çerkaski, Tishki, Ruski Tishki, Borshçova dhe Slobozhanske tani janë nën kontrollin ukrainas, tha një zëdhënës i ushtrisë.
Këto zhvillime në verilindje të Ukrainës po ndodhin, teksa operatori i gazsjellësit natyral në Ukrainë tha se të mërkurën do të pezullojë dërgesat ruse përmes një tubacioni kyç në lindje të vendit.
Operatori i gazsjellësit tha se dërgesat ruse përmes qendrës së tij Novopskov, që gjendet në një zonë të kontrolluar nga separatistët pro-rusë, do të ndërpriten duke filluar nga e mërkura, më 11 maj. Po ashtu ky operator tha se kjo qendër menaxhon pothuajse një të tretën e të gjithë gazit që kalon nga Ukraina për në Evropën Perëndimore. Ndërkaq, gjiganti i gazit natyror rus, Gazprom, tha se gazi që kalon përmes këtij gazsjellësi përbën një të katërtën e gazit që shkon për në Evropën Perëndimore.
Ukraina ka vazhduar të jetë një rrugë e rëndësishme për gazin rus në Evropë edhe pas nisjes së pushtimit rus më 24 shkurt, shkruan REL.
Operatori tha se do të ndalë transportimin e gazit për shkak të ndërhyrjeve nga “forcat pushtuese”. Ukraina tha se do të ndryshojë rrugën e dërgesave të gazit nga pika e transitit Sokranivka, zonë e kontrolluar nga forcat ruse, për në një zonë tjetër të kontrolluar nga Ukraina.