Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj është pritur në takim nga emisari amerikan Gabriel Escobar, përcjell InLajmi.
Gjatë këtij takimi është biseduar për politikën e jashtme dhe sigurinë në Kosovë.
Haradinaj gjatë këtij takimi ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës në një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, e cila në qendër e ka njohjen reciproke, integritetin, sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Haradinaj gjatë takimit i ka thënë Escobarit se kjo marrëveshje arrihet vetëm me rolin aktiv të SHBA-së.
Kreu i AAK-së njofton se e ka falëndëruar Escobarin për angazhimin e jashtëzakonshëm për Kosovën.

Postimi i plotë i tij:
Në Departamentin e Shtetit u prita sot në takim nga emisari amerikan Gabriel Escobar Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë.
Biseduam për temat e politikës së jashtme dhe sigurisë në Kosovë, dhe ripërsërita përkushtimin tonë për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke dhe respekton integritetin, sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Theksova se kjo gjë mund të arrihet vetëm me rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Falënderova z. Escobar për angazhimin e tij të jashtëzakonshëm për Kosovën. /InLajmi/