Kryetari i PDK-së është shprehur mirënjohës ndaj kryeministrit të Shqipërisë Edi Ramës, pasi ky i fundit e kishte vizituar ish-kreun e UÇK-së Hashim Thaçin në Hagë, përcjell InLajmi.
Sipas Krasniqit, ky gjest i Ramës tregon për kujdesin vëllazëror ndaj Kosovës si dhe rikujton se vlerat solidare janë të përtejkufishme.
Tutje kryetari i PDK-së e cilësoi këtë vizitë si nderim të lartë ndaj vlerave më të shenjta kombëtare të popullit shqiptar, e sidomos të luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai tha se ish-krerët e UÇK-së tani po kalojnë edhe nëpër një betejë, e që është kjo e Gjykatës Speciale.
Krasniqi nuk harroi të theksonte raportet e mira mes Thaçit dhe Ramës, duke rikujtuar edhe fjalët e Thaçit drejtuar Ramës, të cili i kishte thënë ‘shpresoj që sa më parë të takohemi në qiellin e bukur dhe diellin që ngroh Shqipërinë dhe Kosovën’.
Postimi i plotë i tij:
Falemnderit nga zemra Kryeministrit Edi Rama për kujdesin vëllazëror që po tregon ndaj Kosovës. Sot, me vizitën e tij në Hagë, te Presidenti Hashim Thaçi, ai u kujdes për Kosovën dhe na rikujtoi se vlerat tona solidare janë të përtejkufijshme – siç ishin edhe në ditët më të vështira kur populli shqiptar i Kosovës po luftonte për lirinë e tij.
Kjo vizitë është nderim i lartë ndaj vlerave më të shenjta kombëtare e të historisë më kuptimplotë të popullit shqiptar – luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për mbrojtën e të cilave djemtë e saj po e bëjnë edhe një betejë.
Duke i kujtuar fjalët e Presidentit Thaçi, në letrën e tij për ju, z. Rama, shpresoj që sa më parë të takoheni duke frymuar nën qiellin e bukur dhe diellin që ngroh Shqipërinë dhe Kosovën. /InLajmi/