Bashkimi i Sindikatave të Kosovë ka njoftuar se me datën 12 maj, do të mbahet grevë një orëshe në të gjitha Institucionet e Kosovës, përcjell InLajmi.
BSPK ka njoftuar se nëse nuk veprohet dhe ofrohet dialogu i duhur social nga Qeveria e Kosovës, atëherë më 20 maj 2022 do të mbahet Protesta gjithëpërfshirëse e cila i paraprinë grevës së plotë në nivel vendi.
Postimi i plotë, i BSKP-së:
Mbahet Greva Paralajmëruese 1-Orëshe e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës
Komunikatë për shtyp e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës
10 maj 2022
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës – BSPK informon Qytetarët e Republikës së Kosovës, se të enjten më 12 maj 2022 në orën e parë të punës nën organizimin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës mbahet në nivel vendi Greva paralajmëruese 1-Orëshe e të të gjithë të punësuarve në të gjitha Institucionet e Republikës së Kosovës.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës edhe përkundër të gjitha përpjekjeve për Dialogun e duhur midis Partnerëve Socialë dhe pa dëshirë po edhe në pamundësi të mos hyhet në grevë vendosi përfundimisht që Greva Paralajmëruese 1-Orëshe në nivel vendi e të të gjithë të punësuarve në të gjitha Institucionet e Republikës së Kosovës të mbahet të enjten më 12 maj 2022.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës priti dhe pret që Dialogu Social midis Partnerëve Socialë të jetë dialog i sinqertë dhe parimor pa premtime po me veprime të duhura dhe drejt përmbushjes së kërkesave të arsyeshme të të punësuarve sindikalistë në nivel vendi.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës nuk do dhe nuk dëshiron që mjetin e fundit të pakënaqësisë sindikaliste – Grevën ta përdorë kurdo dhe të parën, po kur zëri i arsyes nuk hap rrugën e duhur në të mirë të veprimeve të duhura që do të krijonin parakushtet dhe kushtet e duhura të qetësisë dhe të mirëqenies shoqërore-ekonomike atëherë nuk i mbetet tjetër veçse hyrja në Grevë.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës vendosi për Grevë Paralajmëruese 1-Orëshe dhe pret e mirëpret veprimet e duhura reflektuese të Partnerit Social – Qeverisë së cilës i mbetet barra për ndaljen e punës dhe futjen në grevë të atyre që e kanë ndërtuar dhe po ndërtojnë Republikën e Kosovës e të cilët ditë e natë derdhin djersën anë e kënd vendit tonë.
Greva Paralajmëruese 1-Orëshe në nivel vendi në orën e parë të punës së ditës së enjte, 12 maj 2002, e të të gjithë të punësuarve në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës ka Këshillat e Saj Organizues të cilat do të përkujdesen që të mos prishet dhënia e shërbimeve qenësore për Qytetarët, por nëse nuk veprohet dhe ofrohet Dialogu i duhur social nga Partneri Social – Qeveria atëherë më 20 maj 2022 do të mbahet Protesta gjithëpërfshirëse e cila i paraprinë Grevës së plotë në nivel Vendi./InLajmi/