Një tërmet i fortë goditi brigjet lindore të Tajvanit të hënën, duke tronditur ndërtesat në kryeqytetin Taipei, transmeton InLajmi.
Nuk raportohet për dëme serioze apo lëndime, ndërsa autoritetet thanë se nuk kishte rrezik për cunami.
Tërmeti me magnitudë 6.1 ballë ishte me qendër 27 kilometra (17 milje) i thellë dhe rreth 90 kilometra (56 milje) në det të hapur nga qyteti Hualien, tha Byroja Qendrore e Motit të Tajvanit. Lëkundjet më të forta ishin në verilindje të Tajvanit, duke përfshirë Taipein.
Vendndodhja e tërmetit ishte rreth 70 kilometra (44 milje) në jugperëndim të ishullit të largët të Yonaguni në skajin perëndimor të arkipelagut japonez.
Agjencia Meteorologjike Japoneze tha se tërmeti ishte me magnitudë 6.6, ndërsa Shërbimi Gjeologjik i SHBA tha 6.3.
Matjet paraprake shpesh ndryshojnë dhe mund të rishikohen pas analizave të mëtejshme, shkruan Abc.News.
Mediat kineze thanë se tërmeti u ndje edhe në pjesë të Kinës kontinentale. Tajvani vetëqeverisës është rreth 160 kilometra (100 milje) në lindje të bregdetit kinez. /InLajmi/