Në fjalimin e Putinit mungonte fjala Mariupol. Qyteti, me rëndësi të madhe strategjike për Rusinë, ka parë disa nga luftimet më të ashpra në këtë luftë, dhe është gjithashtu një simbol tjetër i rezistencës ukrainase kundër forcave pushtuese, transmeton InLajmi.
Beteja përfundimtare për qytetin po zhvillohet në fabrikën e madhe të çelikut Azovstal, ku luftëtarët ukrainas janë të strehuar në tunele dhe bunkerë të nëndheshëm, të rrethuar nga trupat ruse.
Në një postim në Telegram, një këshilltar i kryebashkiakut të qytetit tha se forcat ruse kishin filluar të sulmonin uzinë pas largimit të një kolone humanitare që transportonte civilët e mbetur nga vendi, një pretendim që nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.
Të dielën, në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi të transmetuar drejtpërdrejt nga një bunker në kompleks, 2 luftëtarë u zotuan të vazhdonin të luftonin, duke thënë se nuk do të dorëzoheshin.
“Ne nuk kemi shanse të larta për të mbijetuar nëse na kapin,” tha njëri prej tyre. “Ne jemi në thelb njerëz të vdekur. Shumica prej nesh e dinë këtë. Kjo është arsyeja pse ne luftojmë kaq pa frikë”, shkruan BBC.
Marrja e Mariupolit do t’i lejonte Rusisë të krijonte një urë tokësore midis zonave lindore të Donetskut dhe Luhanskut, pjesë të të cilave kontrolloheshin nga separatistët e mbështetur nga Rusia përpara se të fillonte ky pushtim, dhe gadishullit të Krimesë, të pushtuar dhe aneksuar nga Rusia në 2014. /InLajmi/