Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në 23 vjetorin e vrasjes së Fehmi Aganit ka përkujtuar të ndjerin duke shprehur admirimin ndaj tij, përcjell InLajmi.
Në 23 vjetorin e vrasjes, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar akademik Fehmi Aganin.
“Profesor Agani ishte intelektuali i angazhuar një jetë të tërë në përmbushjen e synimit për shtetin e Kosovës. Ai ishte figurë përbashkuese, politikan konsistent me vizion të qartë për rrugën që duhet të ndiqte Kosova. Si dorë e djathtë e presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova, profesor Agani dha kontribut të çmueshëm në afirmimin e çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Aktiviteti i tij kombëtar u ndal më 6 maj 1999, kur forca të regjimit gjenocidal serb e vranë njërin nga strategët e lëvizjes paqësore” tha Osmani.
E para e vendit theksoi se vënia e autorëve të kësaj vrasje para drejtësisë është synimi i vazhdueshëm i Kosovës./InLajmi/