Çmimet botërore të ushqimit kanë shënuar rënie të lehtë gjatë prillit pasi në mars shënuan nivele rekorde, tha të premten agjencia për ushqim e Kombeve të Bashkuara.
Në indeksin e çmimeve të ushqimit të Organizatës për Ushqim dhe Agrikulturë, që ndjek të gjitha trendet globale të çmimeve ushqimore, niveli i çmimeve në prill arriti në 158.5 pikë, krahasuar me 159.7 pikë sa ishte në mars.
“Kjo rënie e vogël në indeks është një lehtësim i mirëpritur, veçmas për shtetet me të ardhura të ulëta e që kanë deficit ushqimor. Por, çmimet e ushqimit vazhdojnë të jenë afër shifrave rekorde të regjistruara së fundmi dhe kjo reflekton shtrëngimin e vazhdueshëm të tregut dhe paraqet sfidë për sigurinë globale të ushqimit për kategoritë më të ndjeshme”, tha Maximo Teroro Cullen nga kjo organizatë.
Edhe pse është shënuar rënie e çmimeve, nëse krahasohen shifrat me prillin e kaluar, atëherë i bie që çmimet botërore të ushqimit janë 29.8% më të larta, teksa janë rritur shqetësimet lidhur me ndikimin që do të ketë në tregjet botërore pushtimi rus i Ukrainës.
Organizata për Ushqim dhe Agrikulturë po ashtu parashikoi se prodhimi i grurit më 2022 do të jetë 782 milionë tonë, që është një parashikim më i ulët sa kishte qenë paraprakisht, shkruan REL.
Parashikimet e reja për rënie të prodhimit të grurit janë bërë duke pasur për bazë gjendjen në Ukrainë, pasi në këtë shtet pritet të ketë 20% më pak sipërfaqe të korrur.