“Qëllimi strategjik dhe prioriteti i Serbisë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian”, tha sot kryeministrja serbe Ana Brnabiq në Firence në një takim kushtuar situatës në BE, duke shtuar se ky është rasti për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Sa më shpejt, aq më mirë,” tha Brnabiq në panelin “Kriza dhe ndryshimi – Perspektiva Evropiane e Ballkanit Perëndimor”, ku morën pjesë Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak dhe ministri i Jashtëm austriak Alexander Schalenberg.
Brnabiq foli edhe me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, raporton Tanjug
Brnabiq përsëriti fjalët e Vuçiqit, duke thënë se nuk kanë lajme të mira rreth dialogut me Prishtinën, transmeton Reporteri.net
“Ne folëm për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, nuk kemi lajme shumë të mira nga atje, për të cilat foli edhe presidenti Aleksandar Vuçiq. Por ne po bëjmë më të mirën dhe gjithmonë dërgojmë të njëjtin mesazh, se paqja dhe stabiliteti janë më të rëndësishmet për ne”, tha Brnabiq në Firence.