Gjykata Speciale e ka zgjeruar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Aktakuzës aktuale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit do t’i shtohen më shumë se 30 faqe të reja.
Ndonëse në plotësimin e aktakuzës përmenden edhe persona tjerë, avokati i licencuar nga Gjykata Speciale, Taulant Hodaj, ka thënë se nuk ka të akuzuar të tjerë nga Specialja.
“Aktakuza është zgjeruar vetëm ndaj 4 ish-krerëve të UÇK-së. Të tjerët janë përmendur sikur herën e parë por nuk ka aktakuzë ndaj tyre. Në terma juridik ky është ndryshim i aktakuzës dhe në bazë të ligjit dhe rregulles së procedurës së provave kjo lejohet në çdo fazë të procedurës”, ka thënë Hodaj.
Ai ka thënë se zgjerimi i aktakuzës ndaj ish-krerëve të UÇK-së do ta zvarrisë edhe më shumë procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Kjo normal se do ta zvarrisë goxha shumë procedurën, sepse tani mbrojtja i ka të drejtat e veta për t’i kundërshtuar pikat shtesë të aktakuzës dhe kjo merr kohë. Por, e përsëris se nuk ka persona tjerë të akuzuar. Ata vetëm janë përmend në disa pika të aktakuzës që kanë qenë pjesëmarrës me Krasniqin, Thaqin, Veselin dhe Selimin. Pra, janë shtuar disa pika të aktakuzës, por nuk ka të akuzuar të rinj”, ka sqaruar Hodaj.
Në zgjerimin e aktakuzës me pretendime për krime të tjera të luftës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, janë përmendur edhe emra të pjesëtarëve tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), shkruan RTK.
Edhe pse ende nuk ka filluar procesi gjyqësor, krerët e UÇK-së ka një vit e gjysmë që po mbahen në paraburgim në Hagë.