Ani pse kanë kaluar 2 vjet që kur ish-eprorët e UÇK-së janë duke u mbajtur në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, Prokuroria po e zvarritë procesin e dorëzimit të provave për të akuzuarit.
E gjithë kjo, sipas avokatëve të akredituar të Speciales po ndodh për shkak të mungesës së këtyre provave që dëshmojnë fajësinë e tyre.
Avokati Skender Musa thotë se Specialja ka shkresa që kanë pranuar nga Serbia, por që nuk përputhen me realitetin.
Por, kjo vonesë nga ana e Prokurorisë, sipas avokatit Musai dëmton të akuzuarit.
“Vet fakti që nuk dorëzohen provat më herët, e pengon procesin gjyqësorë, e pengon përgatitjen e mbrojtjes, nuk mundem me thënë që ka ndonjë qëllim të caktuar nga ana e Prokurorisë edhe e Gjykatës Speciale, mirëpo e dëmton jashtëzakonisht mundësinë e mbrojtjes për t’u përgatitur, edhe i dëmton të akuzuarit, dhe si pasojë e kësaj Gjykata e vazhdon paraburgimin duke pretenduar se ekziston mundësia për të ndikuar në prova edhe në dëshmitarë”, thotë ai.
Musa thotë se kjo Gjykatë do të dështojë, ku edhe do të përfundojë me lirimin e të akuzuarve.
“Unë mendoj se kjo Gjykatë do të dështojë. Nëse ka drejtësi edhe nëse vendoset në bazë të provave ligjeve, mendoj se epilogu ka me qenë lirimi i të akuzuarve të pafajshëm, po flas për Jakup Krasniqin, dhe Rexhep Selimin që i kam përcjell më shumë. Mendoj që ka me qenë vendimi përfundimtar lirues, për shkak që këto prova që deri tash kanë pretenduar që ekzistojnë edhe që janë shpalos publikisht, realisht nuk ka bazë as me inicu si rast penal e lëre me arrestu e me ngrit aktakuzë për dikë”, thotë ai.
Të njëjtën e thotë edhe avokati, Artan Qerkini.
Ai tha se nuk ka prova të mjaftueshme për veprat të cilat për akuzohen krerët e UÇK-së, andaj edhe do të lirohen.
“Ne po shpresojmë se do të ketë aktgjykim lirues, sepse nuk ka prova të mjaftueshme se krerët e UÇK-së i kanë kryer ato vepra për të cilat po akuzohen”, thotë ai.
Vonesa e provave nga prokuroria, Qerkini thotë se edhe mund të jetë strategji e tyre.
“Ka indikacione që kjo vonesë mund të jetë strategji e Prokurorisë, sepse vërtetë nuk ka arsye, por unë nuk kam prova që po bëhet qëllimisht, por ka indikacione. Nëse vazhdohet me këtë tempo, kjo mund të marrë shumë kohë”, thotë ai.
Proceset gjyqësore, sipas avokatëve me këtë ritëm mund të zgjasin deri në 10 vite, por edhe më shumë.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, akuzohen nga Dhomat e Specializuara për vepra të rënda penale, si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, shkruan Front Online.
Prokuroria pretendon se këto krime të prezantuara në aktakuzë janë kryer në lokacione të ndryshme në Kosovë, si dhe në disa të tjera në veri të Shqipërisë.