Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) Jens Stoltenberg tha të enjten se aleanca është e gatshme të mbështesë Ukrainën kundër pushtimit rus në një luftë që “mund të zvarritet dhe të zgjasë me muaj e vite”, transmeton InLajmi.
“Ne do të vazhdojmë të ushtrojmë presion maksimal mbi presidentin [rus] [Vladimir] Putin për t’i dhënë fund luftës duke vendosur sanksione, duke ofruar mbështetje ekonomike, por edhe mbështetje ushtarake për Ukrainën, dhe ne duhet të jemi të përgatitur për një afat të gjatë,” tha ai gjatë një Samiti të NATO-s që po zhvillohet në Bruksel.
“Është një situatë shumë e paparashikueshme dhe e brishtë në Ukrainë. Por ekziston absolutisht mundësia që kjo luftë të zvarritet dhe të zgjasë me muaj e vite”, vazhdoi ai.
Stoltenberg tha gjithashtu se aleatët e NATO-s po përgatiten të ndihmojnë Kievin të avancojë një “pajisje të vjetër të epokës sovjetike drejt armëve dhe sistemeve më moderne standarde”, por shtoi se kjo “do të kërkojë më shumë trajnim”, shkruan CNN.
Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane, duke përfshirë Holandën dhe Francën, kanë njoftuar së fundmi se do të furnizojnë Ukrainën me armë me rreze të gjatë, për të ndihmuar në mbrojtjen kundër Rusisë. /InLajmi/