Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka thënë se ish-sekretarja e shtetit e SHBA-së, Madeleine Albright është personaliteti më i rëndësishëm ndërkombëtar në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
“Albright e kujtoj si personalitetin më të rëndësishëm ndërkombëtar në çlirimin e Kosovës. Ndoshta pa kontributin e saj nuk do të kishte ardhur liria e Kosovës kështu siç erdhi”, ka theksuar Gërvalla.
Ajo ka thënë se kontributi i Albright nuk ka qenë vetëm në vitin 1999, në parapërgatitjet e Konferencës së Rambujesë dhe më pas në inicimin e bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë dhe çlirimin final të Kosovës, por edhe më herët si përfaqësuese e përhershme e SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku ajo ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm për ta ngritur zërin dhe për të krijuar përkrahje për kërkesat e drejta të shqiptarëve në Kosovë.
Gërvalla tutje ka thënë se SHBA janë garanti kryesor i pavarësisë së Kosovës, derisa ka theksuar se Kosova është e bekuar që në këtë fazë president i SHBA-së është Biden.
“Nuk është sekret që SHBA-të janë garanti kryesor i pavarësisë së Kosovës dhe janë ata të cilët ndërmorën iniciativën kryesore atëherë kur NATO-ja ndërmori akcionet ushtarake për ta çliruar Kosovën dhe për ta ndalur gjenocidin. Prandaj, gjithmonë sipas maksimës së vitit 90-të: Liri, pavarësi, demokraci, miqësi e përjetshme me SHBA-të, anëtarësim në BE dhe NATO – kjo është strategjia që qëndron në themelet e shtetit të Kosovës dhe aty SHBA-të luajnë rolin kryesor”, ka thënë Gërvalla.
Ajo ka thënë se Biden i njeh shumë mirë problemet e Ballkanit dhe të Kosovës dhe edhe vetë e thotë se Kosova është pjesë e zemrës së tij dhe i cili është shumë i qartë se si duket zgjidhja e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Në fakt Kosova nuk është një çështje që i përket vetëm një presidenti amerikan, por ka një konsensus të gjerë ndërmjet dy partive, republikanëve dhe demokratëve. Kosova është një çështje që ka evoluar vazhdimisht me politikanë të të dy partive kryesore në SHBA, por presidenti Biden luan një rol të rëndësishëm dhe jemi të bekuar që në këtë fazë ai është president dhe shpresojmë që në këtë fazë të presidentit Biden të mund të arrijmë rezultate të rëndësishme për të ardhmen tonë“, ka theksuar Gërvalla në një intervistë për RTK.
Madeleine Albright, gruaja e parë sekretare e shtetit e SHBA-së e ndihmoi shumë Kosovën në rrugën e saj drejt çlirimit dhe pavarësisë ka vdekur më 23 mars në moshën 84-vjeçare si pasojë e sëmundjes së kancerit, derisa sot në Uashington po mbahet ceremonia e varrimit të saj, e ku po marrin pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.