Gjatë këtij viti nxënësit kosovarë do t’i nënshtrohen edhë njëherë testit ndërkombëtar PISA. Sipas ekspertit të Arsimit, Rinor Qehaja, as këtë vit, nuk pritet që Kosova të ketë një rezultat më të mirë se vitet tjera.
Sipas Qehajës, për këtë nuk është faji i nxënësve, pasi që të njëjtit janë pjesë e një sistemi jo të mirëfilltë arsimor.
“Nuk besoj që mund të kemi një rezultat më të mirë dhe për këtë duhet të jemi të arsyeshëm dhe racional. Ata 15-vjeçar që kanë sjellë rezultatin e para 4 viteve nuk dallojnë shumë nga ata 15-vjeçarët që futen tash në këtë testim për PISA të këtij viti. Nuk dallojnë shumë pa fajin e tyre, pasi që të njëjtit janë servuar një sistemi jo të mirëfilltë arsimor”, tha ai.
Qehaja shtoi se problemet me tekste shkollore jo të mira e me plaprograme të vjetra, janë si rezultat i akumulimit prej shumë kohësh, shkruan Tëvë1.
“Me plot probleme në kurrikulë, me plot probleme në metodologji të mësimdhënies, me mungesë në infrastrukturës, me tekste shkollore jo të mira, me planprograme të vjetruara dhe me shumë probleme të tjera që në thelb ato të akumuluara ta sjellin edhe këtë rezultat sikurse që e kemi tani në testin PISA. Por edhe në vetë cilësinë e arsimit në vend”, shtoi ai.