Rreth 1000 civilë mund të jenë varrosur në një varr masiv në periferi të Mariupolit në fshatin Vynohradne. Kështu deklaroi në Telegram shërbimi për shtyp i këshillit të qytetit të Mariupol.
“Imazhet satelitore të marra nga Planet më 20 prill tregojnë një varr masiv 45 metra të gjatë dhe 25 metra të gjerë. Të paktën 1.000 banorë të Mariupolit të vrarë nga rusët mund të jenë varrosur këtu,” thuhet në deklaratë.

Dhjetëra mijëra njerëz mbeten të bllokuar në qytetin port jugor të rrethuar, i cili ka parë javë të tëra luftimesh intensive midis forcave ruse dhe ukrainase, transmeton A2.
Pamjet, të postuara në mediat sociale, vijnë pasi Kombet e Bashkuara konfirmuan se po hetojnë qindra pretendime për vrasjen e civilëve që nga fillimi i pushtimit gati dy muaj më parë.