Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka qenë i ftuar në emisionin Oxygen në Klan Kosova, ku shpalosi shumëçka nga jeta e tij.
Jasharaj, i cili për 32 vjet ishte mësimdhënës i gjuhës shqipe dhe letërsisë në shkollën 8 Marsi në Pejë, tha se shumëkush e quan ‘baba i grevave’.
“Jam mësimdhënës i gjuhës shqipe dhe letërsisë, kam pasur nderin për 32 vjet të punojë në shkollën 8 Marsi në Pejë dhe shokët deshën ashtu dhe më zgjodhën kryetar të SBAShK-ut tash e tetë vjet, dhe duke u bërë kryetar, përveç emrit Rrahman Jashsaraj, shumë njerëz më quajnë baba i grevave”, tha Jasharaj.
Ai madje tha se është kundër grevave por që ndryshe nuk po mund të arrijnë marrëveshje me institucionet përkatëse.
“Grevën e urrejmë shumë, por institucionet janë mësuar jo nesër, jo masnesër, në mëngjes flisnin fjalë të mira, e shkoja i tregoja anëtarësisë, kah ora 11, ndërronin. Andaj të mos jem ‘bashkë rrencan’ me ta, tash i mati fjalët pa nënshkruar diçka nuk e them asgjë”, shtoi ai.
Jasharaj foli edhe për fëmijërinë e tij, vështirësitë në të cilat kaloi familja e tij.
“Në klasën e parë babai e shiti krejt pasurinë dhe tha po shkojmë diku. Shkuam në Turqi por nuk u bënë dokumentet, nuk qëndruam shumë dhe u kthyem në Pejë për të vazhduar një jetë plot skamje dhe unë si fëmijë atë kohë ndjeva dhimbje të madhe se babai vdiq i ri, kur u rrita e kuptova që ka vdekur nga dëshpërimi i madh, ishin fitime të vogla”, tha ai.
Jasharaj tha se heroi i jetës së tij është nëna e tij, e cila, siç thotë ai, ishte punëdore për t’i rritur fëmijët e saj.
“Heroi i jetës sime ishte nëna ime, pasi kur vdiq babai u ndihmë të humbur por ajo me punë dore e artizanate arriti që na mbajë, çka kam e kam prej nënës sime, krejt varej a do t’i shiteshin sexhadet për të vazhduar edhe një muaj unë fakultetin”, shtoi ai.
Ai tha se nëna e tij mundohej t’ia plotësonte gjithë dëshirat, madje ia bleu edhe një violinë për të cilën, ai thotë, se më vonë u bë pishman, pasi ky nuk dinte të luante në të.
“Mi plotësonte dëshirat dhe vëllezërit bëheshin xhelozë. Nëna ia pau sherrin violinistit Muqolli, ai luante aq lehtë në violinë dhe unë i thashë nënë edhe unë ndoshta bëhem violinist ajo me gjithë fukarallëkun mezi i bëri paratë dhe ma bleu violinën dhe u bë pishman se unë kishe po ushtroi, ata i mbanin veshët”, tha ai.
Ai tha se para se të bëhej kryetar i sindikatës, punoi edhe si gazetar.
“Pas luftës u bëra gazetar amator, i keq, sepse shkruaja njëanshëm. Kam punuar edhe në Radio Peja”, shtoi ai.
Ai tregoi se ka pasur një emision në Radio Peja dhe sa herë që fillonte emisionin e lëshonte këngën e PNT “Këto ura”.
Sa u lëshua kënga “Këto ura” në Oxygen, Jasharajt iu mbushën sytë me lot.