Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar kallëzim penal ndaj anëtarëve të bordit të ZRRE-së në Prokurorinë Speciale të Kosovës, raporton InLajmi.
Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Bajrush Xhemajli, pas dorëzimit të padisë ka folur në një konferencë për medie, i cili tha se PDK është duke vepruar në mbrojtje të interesit të qytetarëve të Kosovës, andaj edhe e ka parashtruar këtë padi për shfuqizimin e vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
“Në cilësi të Sekretarit të Përgjithshëm të PDK-së, së bashku me përfaqësuesin e autorizuar, Avokatin Faton Fetahu, duke vepruar në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, parashtruam Kallëzimin Penal kundër Bordit të Zyrës për Rregullatorin e Energjisë, i cili nga data 8 prill i këtij muaji, dështoi të zbatoj Aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, i cili aktvendim pezulloi vendimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike deri në përfundim të procesit gjyqësor në Padinë e PDK-së, të cilën e kemi bërë kundër vendimit të ZRRE-së. Pasi ZRRE mori vendim në fillim të muajit shkurt për shtrenjtimin e energjisë elektrike, PDK duke vepruar në mbrojtje të interesit të qytetarëve të Kosovës, konsumatorëve familjarë të energjisë elektrike, ka parashtruar Padi për shfuqizimin e vendimit të ZRRE-së. Dhe krahas kësaj padie, ne kemi bërë edhe kërkesë për shtyrjen përkatësisht pezullimin e vendimit të ZRRE-së, deri në shqyrtimin dhe vendosjen meritore të Padisë, me qëllimin që të evitohen pasojat e mëdha dhe humbjet që ky vendim po u shkakton qytetarëve tanë.”, tha Xhemajli.
Xhemajli theksoi se kjo parregullësi është duke kaluar nga heshtje nga kryeministri dhe pjesëtarët e qeverisë dhe kjo sipas tij dëshmon se ata janë në sinkron të plotë me ZRRE-në.
Sekretari i PDK-së tha se nuk do të tolerojnë dhe nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për qytetarët e Kosovës, të cilët sipas tij po plaçkiten.
“Krejt kjo paligjësi, po kalon në heshtje nga kryeministri dhe tërë mazhoranca në Qeveri e Parlament, që tregon se janë në sinkron të plotë me ZRRE-në. Bordi i ZRRE, ka vendosur të veproj mbi ligjin e mbi vendimin gjyqësor, prandaj ne këtë nuk do ta tolerojmë dhe nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për qytetarët të cilët po plaçkitën.”, shtoi Xhemajli. /InLajmi/