Presidentja e vendit, Vjosa Osmani gjatë një konference për media ka folur edhe për marrëveshjen e targave, çështje e cila nuk u arrit të zgjidhej dje, raporton InLajmi.
Osmani tha se shkaktar për mosarritjen e marëveshjes për targat është pala serbe, pasi ajo po shkakton bllokad në këtë drejtim.
Presidentja e vendit tha se Kosova do të jetë palë konstruktive dhe do të vazhdojë të jetë palë që respekton parimet dhe standardet e larta evropiane.
“Republika e Kosovës ka dhënë maksimumin si një palë konstruktive në dialog që të arrihet një marrëveshje ashtu siç ka kërkuar edhe BE-ja por ne nuk mund të marrim përgjegjësi për bllokadën që po shkakton pala serbe. Ajo çka mund t’ju siguroj është që Kosova do të jetë palë konstruktive dhe do të vazhdojë të jetë palë që respekton parimet dhe standardet më të larta evropiane, ndërkaq se si do të sillet Serbia varet nga ata, por fatkeqësisht sjellja e tyre e deritanishme vetëm e ka bllokuar progresin në dialog”.
Osmani ritheksoi se njohja reciproke është parakusht për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajonin tonë.
“Mendoj që sa i përket udhëheqësve të delegacioneve, sikurse në çdo takim deri tani, kryeministri i vendit do të vazhdojë të potencojë që ky proces është i përqendruar në njohje reciproke. Njohja reciproke është parakusht për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajonin tonë”. /InLajmi/