Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka deklaruar të premten se nuk ka arsye të besojë në pretendimet e një medium slloven kundër ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili po akuzohet për përfshirje në një skandal financiar.
Në një linjë direkte nga New York-u Gërvalla ka thënë se i ka ndjekur raportimet dhe se shumë shpejtë do të komunikojë me Berishajn. Megjithatë, sipas saj, në këtë fazë nuk ka arsye që të ndërmerren hapa.
“Bëhet fjalë për një raportim nga një medium slloven në kohë fushate. I kam lexuar dhe përcjell me kujdes raportimet. Brenda një periudhe të shkurtë do të bisedoj edhe personalisht me ambasadorin Berishaj, i cili shumë qartë dhe publikisht ka treguar që nuk ka asgjë të vërtetë në ato raportime të mediave”.
“Por, unë nuk kam asnjë arsye të besoj se këto pretendime mund të dalin të sakta përderisa ambasadori thotë që nuk janë. Është çështje e organeve të drejtësisë të cilave ju është drejtuar Berishaj”, është shprehur kryediplomatja Gërvalla për RTV Dukagjini.
Mes tjerash, ajo ka thënë se do të ndjekin me shumë kujdes të gjitha zhvillimet dhe se do të ndërmarrin hapat atëherë kur ato të jenë të nevojshme.