Në Kosovë na pret mot plotësisht i vranët dhe me reshje shiu e bore. Nëpër vendet më të ulëta priten kryesisht reshje shiu, ndërsa në viset pak më të larta priten reshje shqote e bore. Në intervale të caktuara priten reshje të dendura sidomos gjatë kalimit të frontit të ftohtë. Në mbrëmje reshjet pushojnë dhe gjatë natës pritet kthjellim i pjesshëm i motit.
Në Shqipëri nesër pritet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu e rrebeshe lokale me vetëtima dhe bubullimë. Reshje shiu nesër priten edhe në Mal të Zi, Luginën e Preshevës dhe Maqedoninë Veriore. Në viset malore reshje bore.
Të enjten priten rritje të temperaturave, por mbetet vranët dhe me riga lokale shiu herë pas here. Erërat do të fillojnë të fryjnë nga jugu dhe kjo do të kushtëzojë rritje të temperaturave minimale dhe nga e premta edhe ato maksimale.
Të premtën dukshëm më ngrohtë dhe me intervale kohore me diell, por edhe me zhvillime të vranësirave konvektive të cilat lokalisht pritet të kushtëzojnë rrebeshe shiu me vetëtima dhe bubullimë, shkruan Meteo Ballkan.
Për fundjavë na pret mot me intervale kohore me diell dhe vranësira lokale. Vende-vende me riga ose ndonjë rrebesh shiu. Temperaturat shënojnë rritje sidomos të dielën.
