Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, akuzoi Ukrainën dhe një vend të paidentifikuar të BE-së, se qëndronin pas një serie kërcënimesh të rreme me bomba kundër avionëve të Air Serbia.
Që kur Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë në fund të shkurtit, më shumë se një duzinë fluturimesh të Air Serbia janë detyruar të kthehen në Beograd ose Moskë për shkak të kërcënimeve me bombë dhe aeroporti i Beogradit u evakuua të paktën 3 herë.
“Shërbimet e huaja të inteligjencës të 2 vendeve po e bëjnë këtë. Njëri është një vend i BE-së dhe tjetri është Ukraina”, tha Vuçiq, pa dhënë prova.
Në një deklaratë, Oleg Nikolenko, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, i hodhi poshtë komentet e Vuçiqit si “të pabaza” dhe “të pavërteta”.
Ai tha gjithashtu se Ukraina ishte e zhgënjyer me refuzimin e Serbisë për t’iu bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë
“Ne i bëjmë thirrje Beogradit që të ngrihet për të vërtetën dhe të bashkohet plotësisht në mbështetje të Ukrainës dhe në ruajtjen e vlerave mbi të cilat është themeluar Evropa e bashkuar demokratike”, thuhet në deklaratë.
Serbia është pothuajse tërësisht e varur nga gazi dhe nafta ruse. Ajo refuzon të vendosë sanksione kundër Kremlinit dhe mban fluturime të rregullta për në Moskë, përcjell Klankosova.tv
“Ne po vazhdojmë këto fluturime jashtë parimit, sepse duam të tregojmë se jemi një vend i lirë dhe ne i marrim vendimet tona”, tha Vuçiq.
“Mos vendosni për ne kur të anuloni fluturimet”, shtoi ai.