Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi në një intervistë për Ekonomia Online ka folur për sulmet e fundit ndaj policëve të Kosovës në veri të vendit.
Sipas tij, sulmet kanë ardhur pas veprimeve nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës për mbikqyrjen dhe kontrollin e asaj pjese si dhe pengimin e trafikimit, krimit të organizuar e korrupsionit.
Ish-deputeti i LDK-së thotë se Policia po rrezikohet nga struktura ilegale të mbështetura nga Serbia.
“Mendoj se me kohë edhe Ministria e Punëve të Brendshme, por edhe Policia e Kosovës po ndërmarrin veprime të duhura me qëllim mbajtjen e rendit dhe qetësisë publike, por sidomos edhe në aspektin e mbikëqyrjes dhe kontrollit të kalimit të kufirit, por edhe pengimit të trafikimeve të ndryshme që po ndodhin në atë pjesë, flasim për krimin e organizuar dhe korrupsionin që fatkeqësisht po kap edhe struktura të sigurisë”.
“Rastet e fundit tregojnë që jo vetëm strukturat kriminale, por edhe të shtyra nga dhe të mbështetura nga Serbia po vazhdojnë të bëjnë presione dhe sulme ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Pra kemi katër sulme brenda brenda 2-3 ditëve dhe kjo tregon se na rrezikohen strukturat më të ndjeshme të sigurisë pra Policia e Kosovës që ka detyrën e mbikëqyrjes së vijës kufitare, por njëkohësisht kontrollit të kalimit kufitar”.
Ai tha se Qeveria është duke mbyllur drejtimet e furnizimit të rrugëve ilegale ku Serbia ka shfrytëzuar për trafikime të ndryshme.
“Qeveria po bënë punën e vetë dhe ka ngritur bazën logjistike në veri të Kosovës. Ka mbyllur drejtimet e furnizimit të rrugëve ilegale ku ata kanë shfrytëzuar për trafikime të ndryshme që mbështet aktivitetin e krimit të organizuar. Kështu që policia dhe stafi politik po është shumë prezent me Polici që është pozitivitet i mirë në krahasim me të kaluarën”, tha ai.
Kur foli për kontigjenti e ardhur ditë më parë nga Mbretëria e Bashkuar, ai pohoi se ky vend është prezentë me forcat në kuadër të NATO-s dhe e ka detyrë t’i mbështesë ato me pajisje luftarake dhe logjistike.
“Mbretëria e Bashkuar është prezentë me forcat në kuadër të NATO-s dhe ajo ka detyrë t’i mbështesë ato me pajisje edhe luftarake dhe logjistike. Çështja e vetë KFOR-it është të rrisë kapacitete edhe njerëzore, por edhe të armatimit”.