Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka theksuar edhe njëherë se keqpërdorimi i mbi 9 milionë eurove të taksapaguesve të Kosovës nga pushteti i Kurtit përmes Ministrisë së Infrastrukturës, s’do të lihen pa u trajtuar nga organet e rendit dhe ligjit, përcjell InLajmi.
Sipas tij, ky rast e shpejgon më së mirë natyrën e këtij pushteti abuziv, jotransparent dhe nxitës të korrupsionit e keqpërdorimit.
Tahiri tha se këto 9 milionë euro të keqpërdorura nuk janë thjesht numra formalë por para reale të qytetarëve.
Postimi i plotë i tij:
Keqpërdorimi i mbi 9 milion eurove të taksapaguesve të Kosovës nga pushteti i Albin Kurtit përmes Ministrisë së Infrastrukturës, me 42 kontrata njëburimore për punë shtese e me marrëveshje nën tavolinë, pa konkurrencë dhe pa procedura, shpjegon më së miri natyrën e këtij pushteti abuziv, jo transparent dhe nxitës të korrupsionit e keqpërdorimit.
Këto 9 milion euro të keqpërdorura, nuk janë thjeshtë numra formal por para reale të qytetarëve që kanë mundur të përdorën shumë më mirë në shumë fusha tjera, e të cilat fatkeqësisht, janë përdorur nga dy tre persona të pushtetit, ekskluzivisht për një fushë, atë të tenderomanisë. Kjo është një prej aferave më të mëdha të abuzimit me paranë e taksapaguesve, prandaj ne s’do ta lëmë të kalojë pa u trajtuar nga organet e rendit dhe ligjit. /InLajmi/