18 degë të Partisë Demokratike votuan për të zgjedhur kryetarin e ri, në procesin e zgjedhjeve të thirrur nga Komisioni i Rithemelimit, i drejtuar nga Sali Berisha.
Procesi i votimit u hap në orën 8.00 dhe u mbyll në orën 18.00 në Cërrik, Patos, Gjirokastër, Përmet, Këlcyrë, Memaliaj, Tepelenë, Pogradec, Kukës, Has, Vlorë, Delvinë, Sarandë dhe disa degë të Tiranës: Kavaja, Kamza, dega 3, dega 9 dhe dega 13.
Në kryeqytet, Gëzim Demushi u shpall kryetar i degës 3. Anëtarësia e degës 13 votoi Arsen Valisi që grumbulloi 61% të votave. Hysen Kadiu u zgjodh kryetari i ri i Partisë Demokratike në Kavajë.
Kryetar i PD dega Kukës u shpall Admir Behlul Sinamati me 91% të votave.
Pas numërimit të fletëve të votimit të demokratëve, në Cërrik fituese u shpall Nadire Asllani me 78% të votave.
Kryetar i PD Pogradec u shpall Genti Shaqir Cela me 54% të votave.
Eris Shehaj u zgjodh kryetar i degës së Partisë Demokratike në Gjirokastër. Ai mori 348 vota përballë 268 votave që grumbulloi kandidati tjetër Daniel Sino. Kryetar i PD-së, dega Përmet u shpall Arson Kleanthi Lipe me 81 % të votave, ndërsa në Këlcyrë kryetar i degës u shpall Arjan Kasa me 92% të votave.
Në Tepelenë, kryetar i degës së të djathtëve u shpall Malo Hydai Sadikaj me 87% të votave.
Kryetar i degës së PD-së në Memaliaj u shpall Bujar Pasho Kapllani me 87.7% të votave, ndërsa në Patos fitoi Shezaim Ymeraj me 69% të votave.
Në degën e PD Pogradec, kryetar do të jetë Genti Çela, i cili ka marrë 379 vota përballë rivalit të tij, që ka marre 312 vota.
Në Vlorë, fitues u shpall Atird Hoxha ndërsa në Sarandë, fituese u zgjodh Manjola Nikollo me 73% të votave, shkruan Top Channel
Procesi i numërimit vazhdon ende në 3 degë të Partisë Demokratike.