Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar të gjithë besimtarët e besimit të krishterë për nder të festës së Pashkëve, përcjell InLajmi.
Osmani ka uruar që kjo festë të shërbej për t’i qëndruar gjithnjë e më afër njëri-tjetrit, por mbi të gjitha duke ngritur tolerancën, respektin dhe dashurinë për njerëzimin.
Në mesazhin e lëshuar nga Osmani përmendet Nëna Terezë, ku sipas saj ishte ajo që përjetësoi dashurinë për njerëzit dhe përkujdesin për të varfërit.
Postimi i plotë i saj:
Sot besimtarët e krishterë kremtojnë festën e Pashkëve, e cila ngërthen në vete tolerancën, respektin, zemërgjerësinë dhe dashurinë. Pashkët ringjallin shpresën për ditë më të mira, ndaj në secilën familje mbretëroftë gëzimi!
Uroj t’i qëndrojmë pranë njëri-tjetrit, ta mbajmë edhe më afër e ta duam edhe më shumë njëri-tjetrin, për të mirën e përbashkët.
Në këtë përcaktim ne kemi një prijatare e një model: Nënë-Terezën, e cila përjetësoi dashurinë për njerëzit, duke u kujdesur për më të varfrit.
Për shumë mote, gëzuar Pashkët! /InLajmi/