I pari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë homazhe në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër të Drenasit, për nder të 23 vjetorit të masakrës në këto vende, përcjell InLajmi.
Krasniqi ka thënë se dhimbjet e asaj ditë janë akoma të freskëta sidomos për familjarët e viktimave, që humben më të dashurit e tyre por ai ka shprehur gatishmëri për kërkim të drejtësisë.
Ndryshe ai këtë masakër e ka quajtur makaber mbi popullin kosovar e që meriton të dënohet.
Postimi i plotë i tij:
Ditën e 17 prillit të vitit 1999, policia serbe kreu 2 prej masakrave më të tmerrshme në Drenicë, duke vrarë e djegur fëmijë, pleq, gra e burra në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër të Drenasit.
Për të nderuar martirët e rënë, që u masakruan mizorisht nga dora e armikut, sot, bashkë me Kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe me kolegë e bashkëpunëtorë nga Partia Demokratike e Kosovës, bëmë homazhe pranë varreve të tyre.
Dhembja e asaj dite të kobshme është ende e freskët në mesin e familjarëve të viktimave, ashtu si edhe kujtimi i tyre dhe i tërë popullit të Kosovës për tmerrin dhe terrorin e përjetuar 23 vite më parë. Andaj, ne nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi, derisa autorët e këtyre veprave makabre të dënohen.
Lavdi martirëve të Çikatovës së Vjetër dhe Poklekut! /InLajmi/