Një aksident trafiku ka ndodhur në rrugën Prishtinë-Pejë, më konkretisht në Korreticë të lartë afër “Kronit të mbretit”, ku janë lënduar 2 persona, përcjell InLajmi.
Lajmin e ka konfirmuar, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili tha se një veturë e ka humbur drejtimin dhe ka kaluar barrierat në mes të rrugës si dhe ka goditur një veturë tjetër.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë Policia e Kosovës, zjarrfikësit dhe autombulancat.
Mirëpo aksidentet nuk janë ndalur me kaq, pasi një automjet tjetër ka goditur autombulancën.
Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës:
Rreth orës 19:00, në rrugën nacionale në Korreticë të lartë afër Kronit të mbretit, është shkaktuar aksident trafiku me lëndime dhe dëme materiale, ku dyshohet se një veturë duke lëvizur në drejtim të Prishtinës e humb drejtimin dhe kalon barrierat në mes të rrugës dhe del në shiritin e rrugës në drejtim të Pejës ku godet veturën tjetër në drejtim të lëvizjes Prishtinë – Pejë. Raportohet se deri në këtë fazë janë lënduar 2 persona, zjarrfikësit dhe autoambulanca kanë dalë në vendin e ngjarjes. Gjithashtu disa dëme materiale raportohet të jenë shkaktuar nga një automjet tjetër, i cili në atë lokacion ka goditur autoambulancën nga mbrapa. /InLajmi/