Disa qindra besimtarë katolikë, të shtunën mbrëma, festuan Pashkët në Kosovë duke marrë pjesë në ceremoninë kryesore të mbajtur në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, nën drejtimin e Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergjit.
Mesha nisi me simbolikën e zjarrit që simbolizon ngrohjen e dashurisë hyjnore për botën dhe për të gjithë krijesat e tij dhe vazhdoi disa lexime për jetën, mëkatet dhe veprat e Zotit.
Imzot Dodë Gjergji tha se vetëm Krishti mund t’i nxjerrë njerëzit nga errësira e frikës dhe pasiguria e jetës.
Ai madje, me rastin e muajit të Ramazanit, besimtarëve që janë konvertuar në Islam, u uroi agjërim të lehtë.
“Dëshiroj të shpreh urimin tonë për të gjithë ata që agjërojnë dhe u uroj vëllezërve tanë që janë konvertuar në islam gjatë kohës, të kenë një agjërim të lehtë”, tha ai.
Ai tha se Krishti është shpëtimtar i të gjithë botës jo vetëm besimtarëve të krishterë.
“Edhe pse Krishti është shpëtimtar i yni ne asnjëherë s’duhet menduar se shpëtimi i tij na takon vetëm ne, ai ka vdekur për të gjithë, sidomos shpëtimi u takon edhe atyre që besojnë në fetë abrahamike. Pavarësisht se hebrenjtë nuk e njohin rezusin si Krisht, ata vazhdojnë ta presin ardhjen e tij, myslimanët e njohin me emrin Isa, i biri i Mejremes, profet i zotit, vetëm se sipas tyre, lavdëria e tij do të shfaqet në ditën e kiametit”, tha ai.
Kjo është festa me e madhe e kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe të kishave te tjera te krishtera, te cilat festojnë Ringjalljen e Jezusit, përcjell Klan Kosova.
Fjala pashkë, do te thotë kalim, dhe për hebrenjtë është kalimi nga robëria në liri ndërsa për të krishterët nga vdekja trupore dhe frymore në jetën e re të amshuar. Pashkët paraprihen nga një kohë parapërgatitore e agjërimit, që zgjat 40 ditë, që njihet si Kreshme.