Petar Petkoviq, i cili është drejtor për të ashtuquajturën “Zyra për Kosovë” në qeverinë e Serbisë, ka reaguar pas sulmeve që u janë bërë Policisë së Kosovës në veri të Kosovës.
Ai ka thënë se sulmet që po bëhen ndaj serbëve vënë në pikëpyetje motivin e ngjarjeve të këtyre ditëve.
“Sulmet e orkestruara ndaj serbëve dhe Beogradit zyrtar, edhe para përfundimit të hetimeve, vënë në pikëpyetje motivin e këtyre ngjarjeve”, ka thënë ai.
Më tej, ai ka shtuar se Beogradi punon për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë, kjo sepse, sipas Petkoviqit, serbët e Kosovës e dinë mirë vlerën e paqes, përcjell lajmi.net.
Duhet kujtuar se sot është njoftuar se Policia e Kosovës është sulmuar në mënyra të ndryshme përfshirë, me armë të tipit AK47 dhe granatë dore, gjatë tre ditëve të fundit në pikat kufitare me Serbinë.