Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, është shprehur se rritja e inflacionit prej 10 % për gjatë muajit mars është një rekord i zi për ekonominë e vendit, përcjell InLajmi.
Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik ka shprehur shqetësim për ngritjen e çmimit të rrymës po edhe atë të çmimeve për prodhimet elementare, pasi sipas tij kjo do të jetë një goditje direkte për qytetarët e vendit.
Ndërsa tutje ai është shprehur se përveç që po preket direkt xhepi i konsumatorit kjo është një rekord negative që po i dëmton qytetarët, ndërsa tutje ai ka shtuar se qeveritaret po mendojnë që më lëmosha të vogla zgjidhen problemet e mëdha ekonomike.
Postimi i plotë i tij:
REKORD I ZI: NORMA E INFLACIONIT për muajin mars ka shënuar NUMËR DYSHIFROR, 10%!!!
Edhe një rekord tejet negativ në një kohë shumë të vështirë për koston astronomike të jetesës së familjeve kosovare. Pra, inflacioni për muajin mars është 10%. Rritja enorme e çmimeve me këto vlera inflacioni po arrijnë rekorde të zeza për sa i takon rëndimit që po i bëhet një familjeje për ta kaluar mezi muajin. Shtrenjtimi i madh i rrymës, ngritja e paparë e çmimeve për prodhimet elementare dhe tani kjo normë dyshifrore rekorde e inflacionit do ta godasë edhe më ashpër mirëqenien e qytetarëve të vendit tonë.
Ndërkaq, qeveritarët edhe ashtu në deflacion vizioni e idesh për t’i tejkaluar sfidat e sotme, me lëmosha të vogla e të çastit po mendojnë se mund të zgjidhen problemet e mëdha ekonomike.
Përderisa të gjitha po përkeqësohen në kurriz të qytetarëve, ne ende s’e kemi parë asnjë zgjidhje meritore afatgjatë, përveçse lëmoshës për muajin prill, e cila i bie të jetë nga 11.1 euro për muaj deri në fund të vitit.
E çka të mbulojnë më parë me këtë vlerë qytetarët e pafajshëm? Rrymën? Derivatet? Miellin? Bukën? Qumështin? Vajin?/InLajmi/