Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e shumës prej 100 eurove për të punësuari si në sektorin privat dhe atë publik, pastaj për studentët dhe pensionistët, përcjell InLajmi.
E Molliqaj këtë vendim e quan të padrejtë, pasi sipas tij nuk mund të barazohen punëtorit e sigurimit apo shitësit që marrin 180 euro rrogë me menaxherin që merr 1000 ose 1200 euro, ashtu njësoj nuk mund të barazohen as studentët e Universitetit të Prishtinës me ata të kolegjeve private, pasi studentët që paguajnë 6000 euro vitin nuk mund të trajtohen njësoj me ata që mezi paguajnë konviktin e menzën.
Sipas Molliqajt, as kriza nuk i prek të gjithë njëjtë, por as ndihma nuk iu ndikon njëjtë.
Postimi i plotë i tij:
Të gjithë njëjtë nuk është drejt!
Një punëtor i sigurimit ose një shitës në një qendër tregtare paguhet 180-200 euro në muaj. Ata do t’i ndihmon njëjtë sikur menaxherët që marrin 1000 ose 1200 euro. Të gjithë nga 100 euro.
Një student i Universitetit Amerikan që arrin ta paguajë 6000 euro vitin nuk mund të trajtohet njëjtë me një student nga Universiteti i Prishtinës që mezi e paguan konviktin e menzen. I pari i harxhon këto 100 euro për një natë, tjetri e paguan konviktin për 1 muaj.
As kriza nuk i prek të gjithë njëjtë, por as ndihma nuk na ndikon njëjtë. Trajtimi i njëjtë i njerëzve që janë në situata aq të ndryshme e rritë pabarazinë dhe ia humb efektin parave. /InLajmi/