Qeveria britanike ka vendosur sanksionet e para për 2 politikanë të Bosnje-Hercegovinës. Bëhet fjalë për anëtarin serb të presidencës 3-palëshe të Bosnjës, Milorad Dodik, dhe presidenten e Republikës Srpska, Zeljka Cvijanovic.
Ata u sanksionuan nga Mbretëria e Bashkuar pasi kanë minuar legjitimitetin dhe funksionalitetin e Bosnje-Hercegovinës.
Në bazë të sanksioneve, Dodik dhe Cvijanovic nuk lejohet të udhëtojnë në Mbretërinë e Bashkuar si dhe të përdorin ose të kenë akses në asnjë pasuri që mund të kenë në territorin britanik, transmeton A2CNN.
Ministrja e Jashtme britanike Liz Truss tha se: “Këta dy politikanë po minojnë qëllimisht paqen e fituar me vështirësi në Bosnje-Hercegovinë. Të nxitur nga Putini, sjellja e tyre e pamatur kërcënon stabilitetin dhe sigurinë në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Me këto sanksione të ashpra po tregojmë se armiqtë e paqes do të mbajnë përgjegjësi”, u shpreh ajo.