Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën se pushtimi rus i Ukrainës është një dështim i madh i ushtrisë ruse.
“Ata u përpoqën të pushtonin Kievin dhe u refuzuan. Tani ata e kanë braktisur Kievin, e shohin se është e pamundur për ta të marrin kryeqytetin”, tha Borrell në një konferencë për media në Luksemburg.
“Ata po rigrupojnë trupat e tyre në lindje dhe ukrainasit janë shumë të bindur se do të nisin një ofensivë të madhe në Donbas pranë bazave të tyre logjistike”, shtoi ai,
Borrell e karakterizoi gjithashtu pushtimin si një tmerr.
“Ajo që ushtria ruse la pas është civilë të vrarë, qytete të shkatërruara, bombardime pa dallim, si ai që shohim në stacionin hekurudhor (në Kramatorsk). Jemi shumë të shqetësuar nga pasojat njerëzore të kësaj lufte”, theksoi ai.
Borrell tha gjithashtu se “asgjë nuk është jashtë tryezës” kur ishte fjala për sanksionet e reja kundër Rusisë, duke përfshirë naftën dhe gazin, por se asnjë vendim nuk ishte marrë të hënën, raporton CNN
“Është e lehtë për disa shtete anëtare që nuk përdorin gazin rus të thonë se janë gati të mos përdorin gazin rus, por për të tjerat që janë shumë të varura nuk është aq e lehtë”, tha Borrell.
Ai shtoi se vendet anëtare të BE-së vazhdojnë të diskutojnë se si të zbatojnë sanksionet dhe si të shmangin boshllëqet.
Borrell foli gjithashtu për çështjen në rritje të sigurisë globale të ushqimit dhe tha se Kremlini po e zhvendoste në mënyrë aktive fajin.
“Rusët po i bëjnë sanksionet përgjegjëse për mungesën e ushqimit dhe rritjen e çmimeve kur nuk janë sanksione. Është Rusia që mbjell bomba në fushat e Ukrainës, dhe luftanijet ruse që bllokojnë … anijet plot me grurë që nuk mund të dalin nga portet e Ukrainës”, tha Borrell.përcjell rtv21.tv
“Ata po bombardojnë qytetet e Ukrainës dhe po provokojnë urinë në botë”, shtoi ai.




















