Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku në një konferencë për media, ka folur lidhur me me raportimet e fundit rreth Dick Martyt, për të cilin mediat së fundmi kanë raportuar se Serbia kishte planifikuar vrasjen e tij e që më pas kjo “vrasje” t’i etiketohet shqiptarëve, raporton InLajmi
Çitaku ka thënë se Serbia po përpiqet edhe më tej ta njollosë të vërtetën për Kosovën dhe UÇK-në.
Gjithashtu, ajo shtoi se, nëse një orkestrim për eliminim fizik të Martyt nga shërbimet sekrete serbe është evident, vetëm me qëllim që të përpiqen të njollosin edhe më tej të vërtetën, është krejt e vërtetuar se një orkestrim për njollosjen e luftës së UÇK-së nga po të njëjtat struktura dhe e njëjta mendësi.
“Përmes senatorit Marti ka qenë agjendë e mirë organizuar dhe e qëllimshme, e cila s’ka pasur të bëjë asgjë as me të vërtetën, as me drejtësinë. Dhe kjo përbën një absurd për të vërtetën dhe drejtësinë, sepse sot, taksapaguesit evropian paguajnë për një gjykatë e cila është ngritur mbi dezinformatat dhe fabrikimet e shërbimeve sekrete serbe, shtet i cili ka kriminelë lufte me emër e mbiemër që janë të pandëshkuar për krimet e tyre, përderisa në anën tjetër, të njëjtit i mundësohet të arrijë deri aty sa të fabrikojë e të manipulojë me dëshmi të rreme për krime lufte të UÇK-së.”, tha ajo.
Ajo ka shtuar se, është një shkëndijë fillestare për Kosovën dhe Bashkimin Evropian për të shtruar disa pyetje për të cilat ish-senatori Marti do të duhej të sqarohej.
“Cilat kanë qenë rrethanat që kanë nxitur apo detyruar z. Marty që të hetojë pretendimet e fabrikuara nga shërbimi sekret serb dhe ai rus për trafikimin e organeve nga UÇK-ja? Kush dhe cilat shërbime sekrete i kanë dhënë z. Marty dëshmi e prova, mbi të cilat ai ka ardhur në konstatimet e tij për krimet e luftës së UÇK-së? A ka qenë i kërcënuar apo shantazhuar atëherë, dhe a ndihet i manipuluar sot, pasi që vetë jeta e tij është në rrezik, nga po të njëjtat struktura që luajnë edhe rolin e kriminelit edhe të viktimës?”, thekson Çitaku.
Sipas saj, fjala është për bazën mbi të cilën janë ngritur akuza konkrete dhe kjo bazë, e ka një adresë në Beograd e një në Moskë.

“Nuk është fjala për çështje historike, politike, e identitare. Fjala është për bazën mbi të cilën janë ngritur akuza konkrete. Dhe kjo bazë, e ka një adresë në Beograd e një në Moskë. E ka një procedurë, shantazhin. Si dhe një qëllim, dëmtimin e imazhit të Kosovës. Duke lënë anash komponentën e drejtësisë, në të cilën besojmë, zhvillimet e fundit me senatorin Marty tregojnë se në Hagë, nuk ka substancë të besueshme për trajtim. Prandaj, përballë këtyre ngjarjeve që demaskojnë përpjekjet e shtetit serb kundër lirisë dhe pavarësisë sonë, kundër integrimit dhe konsolidimit tonë të jashtëm, ne të gjithë e kemi obligim që ta mbrojmë Kosovën dhe imazhin e saj.”, përfundoi Çitaku. /InLajmi/