Agjencia serbe e Informacionit të Sigurisë (BIA) i dërgoi sot një letër Shërbimit Informativ Federal të Zvicrës (FIS), në të cilën dënon dhe mohon ashpër, siç thuhet në një deklaratë “pretendimet dashakeqe për përfshirjen e shërbimeve të sigurisë serbe në planifikimin e vrasjes së dikujt”.
Bëhet e ditur se BIA ka reaguar ndaj, siç i kanë cilësuar, gjoja kërcënimeve me vdekje ndaj ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, i cili ishte angazhuar në hetimin e krimeve të supozuara lufte të UÇK-së, shkruan Tanjug
Kujtojmë se ish-raportuesi për Këshillin e Evropës, Marty, ditë më parë ka deklaruar se jeta e tij po kërcënohet nga qarqe të caktuara të shërbimeve sekrete serbe, transmeton Klankosova.tv.
“Në këto kohë të vështira, pretendime të tilla i shkaktojnë padrejtësisht dëme të pallogaritshme Serbisë dhe reputacionit të BIA-s dhe anëtarëve të saj, të cilët janë të përkushtuar dhe profesionistë në kryerjen e detyrave të tyre të punës ekskluzivisht në përputhje me ligjin. Përkundër të gjitha presioneve dhe përpjekjeve për të destabilizuar, BIA do të vazhdojë të punojë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të Serbisë dhe qytetarëve të saj”, thuhet në një deklaratë të BIA-s.