Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha të premten se rreth 30 persona janë vrarë në një sulm me raketa në një stacion hekurudhor në qytetin lindor të Kramatorsk, dhe se rreth 300 janë plagosur, transmeton InLajmi.
Në një fjalim në parlamentin e Finlandës të premten, Zelensky tha se ushtria ruse goditi terminalin hekurudhor.
“Pse u duhet kjo luftë kundër Ukrainës? Pse u duhet të godasin civilët me raketa? Pse kjo mizori që bota ka dëshmuar në Bucha dhe qytete të tjera të çliruara nga ushtria ukrainase?”, pyeti Zelensky.
Ndërsa tha se ata që “luftojnë për liri” duhet të mbështeten, Zelensky shtoi se “njerëzit e zakonshëm i kuptojnë këto gjëra dhe këtë koncept më shumë se disa liderë me ndikim. Vendet më të vogla e kuptojnë më mirë se disa nga vendet më të mëdha.”, shkruan CNN.
Fjalimi virtual i së premtes në parlamentin finlandez ishte fjalimi i 23-të i Zelenskit në një parlament të huaj që kur Rusia pushtoi Ukrainën. /InLajmi/