Ministri i Punëve të brendshme, Xhelal Sveçla, ishte në një vizitë 2 ditore në Berln, ku nënshkroi një marrëveshje dypalëshe me Gjermaninë për patentë shoferët.
Sveçla ka treguar për procedurat se si pjesëtarët e diasporës sonë, të cilët jetojnë dhe punojnë në Gjermani dhe kanë marrë më herët patentët e shoferit të Kosovës, do të mund ta konvertojnë atë në një patentë shoferi të vlefshëm të shtetit gjerman.
“Me këtë marrëveshje të gjithë pjesëtarët e diasporës sonë, të cilët jetojnë dhe punojnë në Gjermani dhe kanë marrë më herët patentët e shoferit të Kosovës, do të mund ta konvertojnë atë në një patentë shoferi të vlefshme të shtetit gjerman; por edhe shtetasit gjermanë, të cilët jetojnë në Kosovë, do të mund ta konvertojnë patentën e tyre gjermane në atë të Kosovës. Nga sot të gjitha konsullatat e Kosovës në Gjermani janë në gjendje të pajisin të gjithë shtetasit tanë apo bashkëkombësit tanë, të cilët jetojnë në Gjermani, me vërtetime të duhura se ata i kanë kaluar provimet në shtetin e Kosovës dhe janë të pajisur me një patentë shoferi të vlefshme të shtetit të Kosovës.”, tha ministri.
“Janë një numër i zyrtarëve policorë, të cilët kanë marrë pjesë në Mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Serbisë me presidentin e Serbisë. Ata janë pjesë e hetimit nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe i takon këtij institucioni që të marrë vendimet adekuate në një afat sa më të shkurtër.”, shtoi ai.
“Patjetër që ky veprim i tyre është absolutisht i papranueshëm; është i papranueshëm edhe në aspektin formal edhe në aspektin politik, por edhe në aspektin e cenimit të sigurisë së vendit. Siç e thashë më herët, janë institucionet meritore të cilat janë duke bërë hetimet e nevojshme, të cilat do të bëjnë rekomandimet e duhura, në mënyrë që edhe ne të ndërmarrim vendimet tona meritore.”, tha Sveçla për DW.
“Si institucione ne po punojmë në vazhdimësi që, çfarëdo impakti negativ që kjo luftë mund të ketë në Kosovë, të parandalohet e, po qese ndodh ndonjë gjë, të tejkalohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Jemi në krye të detyrës dhe besoj se do t’i përgjigjemi çfarëdo lloj situate.”, tha ai.