Në kuadër të Forumit Ekonomik të Delfit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák, përcjell InLajmi.
Kryeministri foli për angazhimin në një vit qeverisje dhe rikonfirmoi, që integrimet evropiane dhe euroatlantike nuk kanë alternativë. Ai potencoi domosdoshmërinë e ndihmës së Bashkimit Evropian në këtë rrugëtim.
Në takim u bisedua për mbarëvajtjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces.
Kryeministri theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për dialog parimor e të balancuar. Ai ritheksoi se nga ky dialog duhet të përfitojnë qytetarët e të 2-ja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke.
U bisedua edhe për çështjen e targave të automjeteve midis Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri veçoi faktin se jemi 2 javë larg afatit për marrëveshje për këtë çështje, bazuar në standardet dhe praktikat aktuale më të mira të Bashkimit Evropian.
Në takim, gjithashtu u diskutua për invazionin dhe agresionin e paprovokuar ushtarak rus në Ukrainë dhe ndikimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Evropë. /InLajmi/