Për aksionin e ditës së sotme “pika 2” në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, ku mbetën të arrestuar 26 zyrtarë, foli edhe Eksperti i Sigurisë, Drizan Shala.
Shala tha se pas arrestimit të dhjetëra policëve të vendit, do të ishte me vend në qoftë se Drejtori i Policisë së Kosovës të japë dorëheqje.
Por, sipas tij ata e bëjnë të kundërtën duke u krenuar me veprimet e tyre, si dhe është e çuditshme që IPK ka aktivitet më të shtuar vetëm në brezin kufitar më Shqipërinë.
“Rastet e tilla të arrestimit të dhjetëra policëve të vendit, kishte me qenë e logjikshme dhe e udhës që si Drejtor i Policisë së Përgjithshme në Kosovë, të japë dorëheqje. Ky kishte me qenë veprim korrekt, veprim i pritur, një akt moral. Përkundrazi ata krenohen me veprimet që i kanë bërë, por niveli menaxherial i nivelit të Policisë së Përgjithshme të Kosovës ka dështuar, sepse në qoftë se ke kaq shumë zyrtarë të involvuar dhe nuk kanë mundur t’i identifikojnë përmes inspektimit, atëherë duhet të ketë një shkarkim apo një vetë dorëheqje nga vetë Drejtori i Policisë së Kosovës, dhe më pas edhe zingjiri tjetër komandues, sepse është për çudi sepse vetëm në brezin kufitar më Shqipërinë kemi aktivitet të shtuar IPK-së”, tha Shala.
Shala tha se Menaxhmenti i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës më shumë është duke u marrë me aspektin politik se sa me vetë organizatën, tha ai në Tëvë1.
“Ne nuk e dimë se cilat informacione i ka Inspektorati i Policisë së Kosovës, nuk e dimë a është duke u marrë me raste të tilla, por bazuar në një element tjetër që ka qenë shumë interesant, ka qenë raporti i IPK-së drejtuar Policisë së Kosovës mbi të gjeturat që kanë bërë inspektime brenda stacioneve policore, ka pasur disa amoli sa i përket procedurës administrative, pra të gjitha këto të lënë të nënkuptosh se Menaxhmenti i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës më shumë është duke u marrë me aspektin politik se sa është duke u marrë me organizatën vetvetiu. Pra nëse kemi raste të tjera në vazhdimësi, unë mendoj se Ministri i Punëve të Brendshme duhet të fillojë procedurën për të shkarkuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe Menaxhmentin që për momentin është duke e udhëhequr Policinë e Kosovës”, deklaroi ai.