Në Ditën Botërore të Shëndetësisë, Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka vizituar Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, për të parë nga afër punën që bëhet në këtë institucion shëndetësor, për të arriturat dhe për problemet që kanë, raporton InLajmi.
Ky komision i bëri një rrugë 2 punë duke shfrytëzuar këtë vizitë për të parë nga afër se si është gjendja në depon e vaksinave në IKSHPK.
Në takim u pritën nga drejtori ekzekutiv i IKSHPK-së, Naser Ramadani, i cili falënderoi anëtarët e komisionit.
“Unë falënderoj komisionin parlamentar sepse na kanë qëndruar pranë dhe na kanë mbështetur bashkë me ministrinë e qeverinë në këto ditë të vështira të punëtorëve shëndetësorë në të gjitha frontet të cilat pa ndërprerë kanë punuar dhe po punojnë, pa u ndalur dhe pa pushim në mënyrë që popullatës t’i sigurojmë shërbime dhe të ofrojmë shëndet për të gjithë qytetarët e republikës së Kosovës”, tha Ramadani.