Parlamenti i Serbisë pritet të mos ketë asnjë zë shqiptar në legjislacionin e ri.
Nga numërimi i rreth 98.73% të votave, partitë shqiptare nuk kanë arritur të sigurojnë asnjë ulëse në Parlamentin e Serbisë.
Sipas Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (REC), Lista “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” i udhëhequr nga Shaip Kamberi ka marrë 0,26% apo 9654 vota, duke mos e siguruar aktualisht asnjë deputet.
Ndërkaq lista tjetër e shqiptarëve Alternativa për Ndryshim – Alternativa Demokratike Shqiptare ka arritur të grumbullojë 0.09%, apo 377 vota.
Kandidati për deputet Shaip Kamberi kërkoi përsëritjen e zgjedhjeve në Luginën e Preshevës, derisa fajësoi Serbinë për pasivizimin e vendbanimeve të shqiptarëve në Luginë që ua pamundësoi të drejtën për të votuar.

“Prandaj zgjedhjet duhen të përsëriten në Luginën e Preshevës, duke zgjidhur paraprakisht çështjen e mohimit të së drejtës për të votuar për çdo qytetar të Luginës së Preshevës. Me këtë rast, dua të falënderoj përzemërsisht të gjithë qytetarët për kulturën e lartë politike që kanë shpërfaqur gjatë këtyre zgjedhjeve. Përulje për të gjithë aktivistët në radhë të parë të Partisë për Veprim Demokratik dhe të partnerëve tanë politik – Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, që nuk kursyen asgjë prej tyre, gjatë kësaj fushate që më mbështeten pa reserve”, ka shkruar Kamberi.
Në anën tjetër bartësi i Alternativës Demokratike Shqiptare, Shqiprim Arifi ka thënë se arsyeja e bojkotit të zgjedhjeve në Luginë të Preshevës është si rezultat i shkeljes së marrëveshjes së Tiranës nga ana e Shaip Kamberit, shkruan Reporteri.net.
Ndaj fjalëve të Arifit, ka reaguar Kamberi i cili ka thënë se është problem pse bartësi i Listës nga Lugina nuk e uron fitoren e Listës së tij.