Duke filluar nga orët e hershme të mëngjesit së ditës së sotme serbë të shumtë që jetojnë në Kosovë janë nisur drejt Serbisë për të votuar për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, përcjell InLajmi.
Kjo ka shkaktuar kolona dhe pritje në disa pika kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë.
Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media, derisa ka theksuar se situata është e qetë dhe stabile.
Më tej, Policia e Kosovës ka njoftuar po ashtu se ka paraparë masat dhe veprimet në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, garantimit të sigurisë së përgjithshme, si dhe shtimit të kapaciteteve të personelit policorë në pikat kufitare me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë dhe qarkullimit kufitar.
Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës:
Krijohen pritje në disa pika kufitare që lidhin Republikën e Kosovës me atë të Serbisë
Policia e Kosovës në aspektin e sigurisë vlerëson se situata është e qetë dhe stabile, ndërsa referuar mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi dhe organizimeve të qytetarëve për të udhëtuar në forma të ndryshme drejt Serbisë për të votuar, në disa pika kufitare që lidhin Republikën e Kosovës me Serbinë, janë krijuar kolona dhe pritje.
Pritjet janë shkaktuar në dalje nga Kosova drejt Serbisë në 2 pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak, si pasojë e qarkullimit të shtuar të automjeteve në këto dy pika kufitare, si pasojë e punës së ngadalësuar nga autoritet serbe duke aplikuar hyrjen vetëm me një korsi si dhe aplikimit të procedurave të stikersave.
Policia e Kosovës në këtë fushëveprim ka paraparë masat dhe veprimet e Policisë së Kosovës në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, garantimit të sigurisë së përgjithshme, si dhe shtimit të kapaciteteve të personelit policorë në pikat kufitare me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë dhe qarkullimit kufitar.
Policia e Kosovës është e përkushtuar në kryerjen e detyrave dhe autorizimeve të saj konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, garantimin e lëvizjes së lirë dhe sigurisë së përgjithshme në vend.
Bashkangjitur keni foto nga 2 pikat kufitare./InLajmi/