Kreu i Komisionit Qendror Zgjedhor në Serbi, Vlladimir Dimitrijeviq, ka bërë të ditur se sot në ora 07:00 të mëngjesit janë hapur të gjitha qendrat e votimit në Serbi, përveç njërës në Novi Pazar, ku ka ndodhur një rrahje mes punonjësve të kësaj qendre të votimit.
“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe kjo qendër menjëherë do të hapet. Pothuajse është e pamundur që nga 8.267 qendra të votimit, të kemi problem në vetëm një. Është një festë për demokracinë, pasi po mbahen zgjedhjet për presidentin e Republikës, Parlamentit dhe zgjedhjet lokale në qytetet si Beogradi, Bori dhe 12 të tjera”, shtoi Dimitrijeviq.
Ai ka ritheksuar se të drejtë vote kanë 6.502.307 qytetarë, kurse serbët nga Kosova do të votojnë në komunat e Bujanovcit, Kurshumlisë, Rashkës dhe Tutinit, transmeton Telegrafi
Votuesit nga diaspora do të mund të votojnë në 77 qendra votimit në 34 vende të ndryshme të botës. Ndryshe në zgjedhjet e mbajtura sot në Serbi, deri në ora 9 kanë dalë 5.1% e votuesve.